Shkurte Fejza i drejtohet Edi Ramës: Dëgjojini studentët, gjeni një rrugë mirëkuptimi dhe pajtimi

Ikona e muzikës popullore shqiptare, Shkurte Fejza, i është drejtuar me një letër publike kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke i kërkuar që t’i dëgjojë shqetësimet e studentëve dhe të gjejë një rrugë mirëkuptimi me ta.

Fejza ka theksuar se po i drejtohet Ramës si artiste shqiptare, por edhe si nënë që dëshiron ta shohë rininë duke jetuar me shpresë, dinjitet dhe besim në të ardhmen.

“Shqipëria është më e madhe se secili prej nesh. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët, është amaneti i të parëve dhe ëndrra e fëmijëve tanë”, ka shkruar ajo.

Këngëtarja ka kërkuar që studentët të mos shihen si kundërshtarë, por të dëgjohen pa paragjykime.

“Kur studentët ngrenë zërin për shqetësimet e tyre, le t’i dëgjojmë me vëmendje, pa paragjykime dhe pa i parë si kundërshtarë. Ata janë bijtë dhe bijat e Shqipërisë, janë rinia ku mbështetet e ardhmja e këtij vendi. Pas çdo studenti që kërkon zgjidhje, qëndron një familje me shpresa, sakrifica dhe ëndrra”, ka deklaruar Fejza.

Ajo i ka bërë thirrje Ramës që të tregojë gatishmëri për dialog dhe të gjejë një zgjidhje që nuk i thellon ndarjet në shoqëri.

“Zoti Kryeministër, ndonjëherë madhështia e udhëheqjes nuk qëndron vetëm në vendimet që merren, por edhe në gatishmërinë për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të gjetur dorën e pajtimit”, ka shkruar ajo.

“Ju lutem, gjeni një rrugë mirëkuptimi, një zgjidhje të drejtë e të arsyeshme, që u jep studentëve shpresë dhe familjeve qetësi. Një zgjidhje që nuk e thellon ndarjen, por ndërton ura besimi mes institucioneve dhe qytetarëve”, ka shtuar këngëtarja.

Sipas Fejzës, Shqipëria ka nevojë për qetësi, urtësi, drejtësi dhe zemërgjerësi, ndërsa të rinjtë duhet të dëgjohen nga institucionet.

“Asnjë fitore nuk është më e çmuar se mirëqenia e popullit dhe asnjë krenari nuk është më e madhe se ajo që buron nga dëgjimi i zërit të qytetarëve”, ka theksuar ajo.

Fejza e ka përmbyllur reagimin me një lutje për Shqipërinë dhe për një të ardhme më të mirë për fëmijët.

“Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe çdo shqiptar që dëshiron një të ardhme më të mirë për fëmijët e vet!”, ka shkruar Shkurte Fejza.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.