
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka thënë se në seancën e së hënës nuk duhet të bëhet lojë me ndryshim-plotësimin e projektligjit për Specialen.
Përmes një postimi në Facebook ka shkruar se të hënën në Kuvendin e Kosovës do të jetë një ditë e gjatë. Sipas tij, aty, me një zë, Kuvendi duhet ta miratojë Ligjin për Specialen në të dyja leximet, shkruan KOHA.
“Por ky ligj duhet të jetë vetëm fillimi i një reagimi proaktiv të shtetit në mbrojtje të historisë dhe të vlerës më të madhe kombëtare, luftës çlirimtare. Nesër nuk duhet të bëhet lojë me asnjërin lexim”, ka thënë ai.
Postimi i plotë:
Nesër në Kuvendin e Kosovës do të jetë një ditë e gjatë. Aty, me një zë, Kuvendi duhet ta miratojë Ligjin për Specialen në të dyja leximet.
Por ky ligj duhet të jetë vetëm fillimi i një reagimi proaktiv të shtetit në mbrojtje të historisë dhe të vlerës më të madhe kombëtare, luftës çlirimtare.
Nesër nuk duhet të bëhet lojë me asnjërin lexim.
Në leximin e dytë duhet ta trajtojmë me shumë kujdes nëse ka mbetur diçka pa u përfshirë në Komisionin për Legjislacion, në mënyrë që të bëhet çdo amendament i nevojshëm që e përmirëson ligjin.
Kjo çështje nuk duhet të shndërrohet në fushëbetejë për interpretime politike, e as në garë se kush po paraqitet më i mirë apo më i zëshëm.
Nesër duhet të jetë një nisje e re.
Në dy vitet që vijnë, shteti i Kosovës duhet të tregojë seriozitet në raport me procesin gjyqësor në Hagë.
Kosova duhet të ketë një qasje institucionale, të qëndrueshme dhe të përgjegjshme për mbrojtjen e historisë dhe të vërtetës për luftën çlirimtare.
Nesër nuk duhet të jetë fundi i një debati, por fillimi i një pune më të madhe të shtetit për çlirimtarët.



