Harvardi nderon Noel Malcolm, në profilin e historianit citohet edhe Albin Kurti

Universiteti i Harvardit ka nderuar historianin dhe autorin britanik Sir Noel Malcolm me gradën e nderit “Doctor of Laws”, si një nga pesë personalitetet e nderuara në ceremoninë e Commencement 2026. 

Në profilin që “Harvard Gazette” i ka kushtuar Malcolm-it, është cituar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka folur për rëndësinë e punës së historianit britanik në fund të viteve ’90.

Harvardi shkruan se Kurti e konsideron Malcolm-in një zë të rëndësishëm në kohën e luftës në Kosovë. Kurti ka veçuar librin e tij të vitit 1998, “Kosovo: A Short History”. 

“Në fillim të luftës në Kosovë më 1998, ai botoi rrëfimin historik ndërkombëtar më të rëndësishëm për vendin”, ka thënë Kurti.

Sipas Kurtit, puna e Malcolm-it erdhi në një moment kur propaganda po përdorej për të justifikuar gjenocidin dhe dokumentoi diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve. 

Kurti ka shtuar se Malcolm e vendosi historinë në perspektivën e duhur në një kohë kur, sipas tij, historia e shtrembëruar po përdorej si armë, në mënyrë që e vërteta për të kaluarën të mund të ndihmonte në ndërtimin e një të ardhmeje më të drejtë. 

Harvardi përmend ndër veprat kryesore të Malcolm-it librat “Kosovo: A Short History” dhe “Bosnia: A Short History”, duke theksuar se ato sfiduan mite nacionaliste në Ballkan. Malcolm ka qenë studiues vizitor në Harvard më 1999 dhe që nga viti 2002 është studiues i lartë në All Souls College të Universitetit të Oxford-it. Ai është gjithashtu anëtar i British Academy dhe Royal Society of Literature, ndërsa në vitin 2014 u shpall kalorës nga Mbretëresha Elizabeth II për kontributin e tij në studime, gazetari dhe histori evropiane. 

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.