
Sot janë bërë tre vjet që prej kur ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë, në të cilin u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. E edhe pse kanë kaluar tre vjet dhe përgjegjësinë e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ai dhe dhjetëra të akuzuar janë ende të lirë në Serbi.

Në prill të këtij viti Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm dy të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, ndërsa Dushan Maksimoviqin e ka dënuar me 30 vjet burgim.
Në aktgjykimin e plotë Gjykata Themelore në Prishtinë ngjarjen e 24 shtatorit të vitit 2023, e ka përshkruar si një grup të organizuar, me lidhje të mëhershme mes pjesëtarëve, i armatosur, me mjete logjistike dhe me pozicione të përcaktuara për aksionin.
Për sulmin e tre vjetëve më parë, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni bashkë me anëtarët Rrahman Beqiri e Donikë Shala-Abdyli, ka konstatuar se përgjegjësia e secilit prej tre të dënuarve, është përcaktuar veçmas, duke u mbështetur në provat konkrete për praninë, dijeninë, dashjen, komunikimet, pajisjet, sendet personale dhe kontributin e tyre në veprimin e përbashkët të grupit.

Tre të dënuarit janë në mesin e 42 personave të akuzuar për këtë rast, përfshirë edhe Radoiçiqin, që ishte lënë i lirë pasi ishte marrë në pyetje në Beograd në tetor të 2023-s.
Për Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë ka fletarrestim ndërkombëtar, pasi janë në arrati.
Veprat penale në aktakuzë: “Kryerja e veprës terroriste” “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” “Shpërlarja e parave” e “Vrasje e rëndë”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i sulmuesve ishte që ta ndanin veriun nga Kosova.
“Në Banjskë, në vendin e sulmit aty, rruga sot mban emrin e heroit Afrim Bunjaku. Ndërkaq, tre kriminelë janë vrarë gjatë aksionit atë ditë, tre janë në burg që prej asaj dite, e të gjithë të tjerët do të përgjigjen para drejtësisë në vendin tonë herdokur. Shteti ynë asnjëherë nuk do të heq dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”, shkroi ai.
Grupi i organizuar pati vrarë Bunjakun në një pritë në veri, ndërsa gjatë ikjes ishte mobilizuar në fshatin Banjskë. Pamjet nga droni kanë kapur fytyrat e dhjetëra të dyshuarve, ndërsa ato kanë shfaqur edhe momentet e ikjes së tyre.
Policia e Kosovës pati kapur arsenal armësh pas sulmit për të cilin Kosova e akuzon direkt shtetin e Serbisë.
Nga grupi terrorist tre persona të akuzuar ndodhen në paraburgim. E më 11 shtator të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Radoiçiqit dhe mbi 40 të tjerëve. Por që të gjithë ndodhen në Serbi.
Madje ish-nënkryetari i Listës Serbe ishte lënë i lirë pasi ishte marrë në pyetje në Beograd në tetor të 2023-s./KOHA



