
Procesi zgjedhor u zhvillua i qetë dhe pa incidente, ndërsa rezultatet e para tregojnë fitore të qarta për VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin shqiptar VLEN.
Të dielën, qytetarët e Maqedonisë së Veriut iu drejtuan kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash. Në këtë fazë, 33 komuna kishin mbetur ende pa drejtues të rinj, ndërsa mbi një milion qytetarë kishin të drejtë vote.
Procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente që mund të cenonin sigurinë apo mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Sipas rezultateve paraprake me 87% të votave të numëruara, partia në pushtet VMRO-DPMNE ka siguruar fitore në 19 komuna, ndërsa LSDM, e majta maqedonase, ka fituar në 4 komuna.
Koalicioni shqiptar VLEN, që garoi në pesë komuna në këtë raund, ka arritur një rezultat të plotë duke fituar të pestat. Ndërkohë, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) e udhëhequr nga BDI-ja, deri tani ka dalë fituese në një nga pesë komunat ku ishte në garë.
Përveç tyre, Uniteti Rom ka fituar një komunë, ndërsa një tjetër është siguruar nga Lëvizja ZNAM.



