Vlora Çitaku: Sot nuk ka as pozitë as opozitë, njeriu që do me sjell buxhetin është edhe ministër edhe deputet

Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas mbledhjes së Kryesisë, ka theksuar se vendi nuk është në situatë normale dhe ka kërkuar sqarim nëse ekziston shumicë parlamentare apo vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka folur pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, duke theksuar se Kosova po kalon një krizë të thellë institucionale dhe se nuk duhet të lejohet shkelja e Kushtetutës.

“Ne nuk guxojmë të simulojmë normalitet. Kosova nuk është në situatë normale, sikur nuk guxojmë të ia lejojmë vetes të merremi me zgjidhje të pjesshme. Kosova është në krizë. Takimi te presidentja është nesër — më mirë vonë se kurrë. Liderët aty do të konfirmojnë a ka shumicë parlamentare apo do të shkojmë në zgjedhje të reja,” ka deklaruar Çitaku.

Ajo shtoi se nuk ka shumicë të re parlamentare dhe se taktizimet politike vetëm po e vonojnë zgjidhjen e krizës.

“Nuk ka shumicë të re parlamentare, nuk kemi nevojë për taktizime. Ky Kuvend nuk po arrin të formojë shumicë të re, e më pas të ballafaqohemi me sfidat e mëdha që ka qytetari,” u shpreh ajo.

Duke komentuar zhvillimet në Kuvend, Çitaku tha se po tentohet të simulohet demokracia duke shkelur Kushtetutën.

“Miratuam disa pika formale, mbulime të shpenzimeve, por nuk mund të miratojmë komisione. Po na kërkohet të simulojmë demokraci, duke shkelur Kushtetutën. Kush është pozitë, kush është opozitë? Janë dy komisione që i takojnë opozitës — kush është opozita, kush është qeveria? I njëjti njeri që do të sjellë buxhetin është edhe ministër edhe deputet,” tha më tej Çitaku.

Back to top button