
Bombarduesit Tu-95 dhe avionët Su-35 u identifikuan në Zonën e Mbrojtjes Ajrore, pa hyrë në hapësirën e SHBA-së apo Kanadasë
Komanda e Mbrojtjes Aero-hapësinore të Amerikës së Veriut (NORAD) ka njoftuar se katër avionë ushtarakë rusë janë konstatuar pranë hapësirës ajrore të Alaskës. Bëhet fjalë për dy bombardues strategjikë Tupolev Tu-95 dhe dy avionë luftarakë Sukhoi Su-35, të cilët u futën në Zonën e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Alaskës (ADIZ), por pa hyrë në hapësirën sovrane të SHBA-së apo Kanadasë.
Për t’i identifikuar dhe monitoruar, NORAD dërgoi mjete ajrore, përfshirë një avion paralajmërues E-3 Sentry, katër gjuajtës F-16 dhe katër tanke ajrore KC-135. Sipas autoriteteve amerikane, ky aktivitet nuk përbën kërcënim të menjëhershëm, por vlerësohet si pjesë e praktikave të zakonshme të Rusisë për të testuar reagimin ushtarak të aleatëve.
Ngjarja ndodh në një kohë kur disa shtete të NATO-s, përfshirë Estoninë, Poloninë, Rumaninë, Gjermaninë, Danimarkën dhe Norvegjinë, kanë raportuar raste të ngjashme shkeljesh të hapësirës ajrore nga avionë dhe dronë rusë.
Në këtë klimë tensioni, Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u shpreh se “vendet e Aleancës duhet të rrëzojnë çdo mjet ajror rus që hyn në hapësirën e tyre”, ndonëse theksoi se mbështetja e drejtpërdrejtë e SHBA-së do të varet nga rrethanat konkrete.



