
Arbërie Nagavci, shefe e grupit parlamentar të VV-së, ka publikuar një shkrim në lidhje me kërkesat për rishqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, që u votua ditë më parë.
Nagavci ka vlerësuar se këto kërkesa ritkhejnë në vëmendje shqetësimet e ngritura nga VV-ja.
Postimi i plotë:
Ende pa kaluar dy javë nga miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, tashmë po dëgjohen kërkesa që Presidentja ta kthejë ligjin në Kuvend për rishqyrtim.
Si Lëvizje VETËVENDOSJE!, që në fillim kemi ngritur shqetësimet tona për nxitimin me të cilin po procedohej ky ligj, për përmbajtjen e tij dhe për problemet e mundshme kushtetuese.
Qëndrimi ynë ndaj Gjykatës Speciale ka qenë i qartë që nga viti 2015. Kemi kundërshtuar themelimin e saj dhe ky qëndrim nuk ka ndryshuar. Megjithatë, kemi theksuar se ndryshimet e propozuara ligjore nuk i shfuqizojnë aktgjykimet, nuk e zëvendësojnë procesin e apelit dhe nuk sigurojnë kthimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në atdhe.
Pavarësisht rezervave tona, e kemi mbështetur ligjin, me dëshirën që çdo nismë në mbështetje të çlirimtarëve të japë rezultate konkrete. Sot, kur po kërkohet rishqyrtimi i tij, rikthehen në vëmendje pikërisht shqetësimet që i kemi ngritur para miratimit.
Kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë një strategji të mirëfilltë shtetërore, një përgatitje serioze juridike për procesin e apelit dhe një angazhim të fuqishëm diplomatik për të mbrojtur të vërtetën historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Drejtësia për çlirimtarët kërkon seriozitet, përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje juridikisht të qëndrueshme, jo vetëm miratimin e ligjeve me procedura të përshpejtuara.



