
Lideri i Vetëvendosjes thotë se i kishte bërë Nismës propozim konkret për bashkëpunim, të ngjashëm me marrëveshjen me Guxo-n
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur për herë të parë publikisht lidhur me ofertën që i kishte bërë Fatmir Limajt për bashkëpunim qeveritar.
Në një tubim me mërgimtarë në Londër, Kurti tha se Nismës i kishte propozuar një marrëveshje që do t’i siguronte një ministri, postin e nënkryetarit të Kuvendit dhe dy pozita zëvendësministrash.
“Me partinë Guxo, e cila i ka gjashtë deputetë, ne jemi marrë vesh për dy ministra. Në këtë mandat, që s’po përfundon — përfundon më së largu në dimër — kanë qenë Donika Gërvalla, ministre e Jashtme, dhe Faton Peci, ministër i Bujqësisë. Tash, me gjashtë deputetë, dy ministra. Unë kam qenë i gatshëm me ia dhënë Nismës një ministri dhe nënkryetarin e Kuvendit,” tha Kurti.
Ai shtoi se, sipas marrëveshjes së planifikuar, nëse Albulena Haxhiu do të zgjidhej kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj do të bëhej nënkryetar.
“Sepse duhet që kryetari dhe nënkryetari të jenë të gjinive të ndryshme. Kur Albulena Haxhiu të bëhej kryetare e Kuvendit, Fatmir Limaj do të bëhej nënkryetar i Kuvendit. Ai i ka pasur pesëfish më pak vota se Albulena, por do ta merrte një ministri dhe dy zëvendësministra,” shtoi Kurti.
Deklarata e Kurtit është bërë gjatë qëndrimit të tij në Londër, ku po zhvillon takime me mërgatën shqiptare.



