
Profesoresha Vjosa Sadriu-Hamiti vlerëson zgjedhjen si fitore të dijes dhe shembull për gratë në shkencë.
Profesoresha universitare Vjosa Sadriu-Hamiti ka njoftuar se akademikja Justina Shiroka Pula është zgjedhur kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).
Në një postim në Facebook, Sadriu-Hamiti ka theksuar rëndësinë historike të zgjedhjes: “Ajo është gruaja e parë në krye të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Kjo zgjedhje është fitore e dijes, e punës së palodhshme dhe e meritës. Justina Pula është dëshmi se shkenca nuk ndërtohet me privilegje, por me përkushtim, disiplinë dhe këmbëngulje. Faleminderit që hap rrugë, vendos standarde dhe u tregon brezave të rinj – veçanërisht grave – se majat akademike arrihen me punë, zell dhe integritet.”
Megjithatë, ASHAK ende nuk ka lëshuar një njoftim zyrtar për këtë ngjarje, duke lënë postimin e profesoreshës si burim kryesor të informacionit për këtë moment historik për shkencën dhe arsimin në Kosovë.



