
Kandidati i PDK-së thotë se ballafaqimi i programeve dhe vizioneve është e drejtë e qytetarëve dhe duhet të bëhet me respekt të ndërsjellë.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se është plotësisht i gatshëm për një debat televiziv me kryeministrin aktual dhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
I pyetur nga gazetari Dërguti nëse do të pranonte një ballafaqim të drejtpërdrejtë me kundërkandidatët, konkretisht me Kurtin, Hamza u shpreh pa hezitim se është i hapur për debat në çdo studio televizive.
“Sigurisht se po. Në cilëndo studio televizive, jo me qëllim për ne të dy, por për publikun. Publiku ka të drejtë me na pa se çka përfaqësojmë, me çfarë programi, vizioni dhe ekipe garojmë”, deklaroi Hamza.
Ai theksoi se debatet televizive janë pjesë e rëndësishme e procesit demokratik dhe u shpreh se nga ana e tij një ballafaqim i tillë do të zhvillohej gjithmonë brenda kornizave të respektit reciprok.
“Normalisht, prej meje gjithmonë brenda suazave të respektit të ndërsjellë”, shtoi Hamza, duke nënvizuar se transparenca dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët janë thelbësore në një garë zgjedhore.



