
Aktivistja Zana Avdiu ka reaguar pas njoftimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë se janë asgjësuar mbi 24 mijë kilogramë produkte mishi, pasi fillimisht ishte konstatuar prania e mykut në kofshë pule.
Avdiu ka përmendur edhe rastin në Mal të Zi, ku autoritetet kishin ndaluar mbi 102 mijë kilogramë mish viçi me afat të skaduar, i destinuar për tregun e Kosovës.
“Sot mbi 24 mijë kilogramë produkte mishi u asgjësuan, pasi fillimisht ishte gjetë myk në kofshë pule. Tjetra, Mali i Zi ndaloi mbi 102 mijë kilogramë mish viçi me afat të skaduar, të destinuar për Kosovë. Pra, mbi 126 mijë kilogramë mish të ndaluar ose të asgjësuar”, ka shkruar Avdiu.
Ajo ka kërkuar reagim urgjent nga AUV-i dhe inspektoratet, duke kritikuar cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore që u ofrohen qytetarëve.
“AUV-i dhe inspektoratet duhet me ndërhy me urgjencë. Na po paguajmë çmime tepër të larta për ushqime, ndërsa cilësia dhe siguria e tyre janë përtokë”, ka deklaruar ajo.
Avdiu ka paralajmëruar edhe për pasojat që ushqimet e pasigurta mund të kenë në shëndetin e qytetarëve.
“Me këto ushqime që rrezikojnë shëndetin, nuk janë befasi gjithë këto sëmundje”, ka përfunduar Avdiu.



