
Forcat nga Komanda Rajonale–Perëndim rrisin praninë dhe sigurinë në terren në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO.
Ushtarët italianë nga Komanda Rajonale–Perëndim, pjesë e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, po vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme operative përgjatë Vijës së Kufirit Administrativ (ABL), si dhe në zona të ndryshme të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, trupat italiane kanë realizuar patrullime të rregullta me qëllim të sigurimit të një pranie të dukshme dhe qetësuese në terren, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e ndërgjegjësimit për situatën e sigurisë dhe parandalimin e incidenteve të mundshme.
KFOR thekson se përmes profesionalizmit, përkushtimit dhe gatishmërisë së vazhdueshme të ushtarëve italianë, po jepet një kontribut i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal. Ky angazhim është pjesë kyçe e misionit të vazhdueshëm për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me synim garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Po ashtu, nga KFOR bëhet e ditur se ekziston një bashkëpunim i ngushtë dhe koordinim i vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në kuadër të roleve të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.



