Specialja sqaron nëse Salih Mustafës do t’i lejohet pjesëmarrja në varrimin e babait

Kërkesa e ish-pjesëtarit të UÇK-së është në shqyrtim, DhSK-ja thotë se ende nuk ka vendim publik.

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) janë deklaruar lidhur me mundësinë që Salih Mustafa – Cali të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij, Jahja Mustafa, i cili ndërroi jetë sot.

banner

Në një përgjigje për Klankosova.tv, nga Gjykata Speciale është bërë e ditur se Salih Mustafa e ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në ceremoni të hënën, më 22 dhjetor. Sipas tyre, kërkesa është shqyrtuar po atë ditë nga gjyqtari i vetëm i çështjes.

“Gjyqtari mori në shqyrtim kërkesën të hënën, më 22 dhjetor. Po atë ditë, u lëshua një vendim që kërkonte informacione të mëtejshme, i cili u dha të martën, më 23 dhjetor. Në kohën kur babai i z. Mustafa ndërroi jetë, ende duheshin paraqitur parashtresa të mëtejshme te gjyqtari i vetëm”, thuhet në përgjigjen e DhSK-së.

Gjykata Speciale ka sqaruar gjithashtu procedurën se si trajtohen kërkesa të tilla nga personat e paraburgosur. Sipas tyre, gjyqtari ose trupi gjykues vlerëson të gjitha rrethanat me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë raste të tilla, duke vendosur në bazë të kornizës ligjore të DhSK-së dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Nga Specialja theksohet se, edhe kur vizita të tilla urdhërohen nga gjyqtarët, organizimi i tyre mund të zgjasë, pasi kërkon koordinim të ngushtë me aktorë të jashtëm dhe rregullime komplekse logjistike, përfshirë fluturimet dhe masat e sigurisë.

“Deri më tani nuk ka asnjë dosje publike që trajton pyetjen nëse z. Mustafa ka bërë ndonjë kërkesë shtesë për të shprehur respektin”, thuhet më tej në përgjigjen e DhSK-së.

Salih Mustafës më herët nuk i ishte lejuar nga Gjykata Speciale ta vizitonte babain e tij, ndonëse ky i fundit ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore.

Babai i Salih Mustafës, Jahja Mustafa, ndërroi jetë gjatë ditës së sotme, ndërsa ceremonia e varrimit do të mbahet nesër, me fillim nga ora 12:00, në fshatin Rimanishtë të Prishtinës.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.