Kica-Xhelili: Vetëvendosjes i duhet një periudhë në opozitë për ta rimenduar qasjen qeverisëse

Nënkryetarja e LDK-së thotë se qeverisja e LVV-së nuk ka prodhuar asnjë projekt madhor dhe se ndryshimi i mendësisë politike është proces, jo vendim i momentit.

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kandidate për deputete në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Doarsa Kica-Xhelili, ka deklaruar në emisionin Debat Plus se Lëvizjes Vetëvendosje i nevojitet një periudhë në opozitë për të reflektuar dhe rimenduar mënyrën e qeverisjes.

banner

Sipas saj, Vetëvendosje duhet ta rishqyrtojë qasjen e saj politike, duke theksuar se gjatë qeverisjes nuk është prezantuar asnjë projekt madhor me të cilin qeveria apo kryeministri në detyrë mund të krenohen.

“A me PDK-në apo me Vetëvendosjen? Përgjigjja e parë është me parimet që i ka përcaktuar LDK-ja, mbi të cilat negociohet. Vetëvendosja nuk mund ta pranojë diçka të tillë, për faktin se të besosh në këto shtylla nuk është momentale, është proces”, ka thënë Kica-Xhelili.

Ajo ka shtuar se ndryshimi i mendësisë politike nuk mund të ndodhë brenda natës, pasi bëhet fjalë për një proces të gjatë si në nivel individual, ashtu edhe në atë partiak.

“Mendësia është proces mbi të cilin duhet të kalosh. Nuk mundesh brenda natës ta rikuptimësosh atë mbi të cilën funksionon si individ apo si lëvizje politike. E para, dhe e dyta, është se gjithçka që kemi parë nga Lëvizja Vetëvendosje këto pesë vite, tregon se atyre u duhet një periudhë në opozitë për ta rimenduar plotësisht funksionin e ekzekutivit dhe qasjen që duhet ta ketë një parti politike gjatë qeverisjes”, ka deklaruar ajo.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.