
Nesër, Kosova do t’u drejtohet kutive të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pas një bllokade politike që ka zgjatur gati dhjetë muaj. Mungesa e konstituimit funksional të institucioneve ka pamundësuar formimin e organeve të reja, duke e çuar vendin drejt këtyre zgjedhjeve si zgjidhje për tejkalimin e ngërçit.
Në garë janë subjektet kryesore politike, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, si dhe disa parti e iniciativa të tjera politike.
Sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka rreth 2 milionë votues të regjistruar, të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në këto zgjedhje. Krahas votimit brenda vendit, këtë herë pjesë e procesit janë edhe shumë qytetarë nga diaspora, të cilët po qëndrojnë për pushime në Kosovë dhe do ta shfrytëzojnë mundësinë për të votuar drejtpërdrejt në vendlindje.
Gjatë fushatës, partitë kanë shpalosur programet e tyre, me theks të veçantë në zhbllokimin institucional, zhvillimin ekonomik, uljen e çmimeve dhe forcimin e shtetit ligjor.
Fushata zgjedhore është zhvilluar kryesisht në një atmosferë të qetë dhe pa incidente të theksuara, ndërsa debatet politike janë fokusuar më shumë në zgjidhje konkrete sesa në përplasje të ashpra mes rivalëve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se gjithçka është gati për mbarëvajtjen e procesit dhe ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës. Vendvotimet do të hapen në ora 7 të mëngjesit, ndërsa rezultatet e para pritet të bëhen publike pas përfundimit të votimit.



