
Armend Baloku, deputet i VV, i ka reaguar LDK në lidhje me kandidatin për president, Bekim Sejdiu.
Baloku ka reaguar pas një shkrimi të Doarsa Kica-Xhelilit, deputete e LDK, duke theksuar se për inatet brenda LDK, nuk është e pranueshme që Kosova të shkojë në zgjedhje.

Postimi i plotë:
Kandidatin për President, Bekim Sejdiun, e keni propozuar ju dhe tani po e kundërshtoni pikërisht propozimin tuaj.
Ne kemi qenë të qartë dhe e kemi thënë publikisht: propozoni një kandidat për President dhe ne do ta mbështesim. Më qartë se kaq nuk mund të thuhet.
Ne nuk mund t’i rregullojmë raportet tuaja të prishura dhe as inatet tuaja të moçme. Këto janë çështje që ju takojnë juve dhe për të cilat duhet të mbani përgjegjësi vetë.
Për inatet dhe mosmarrëveshjet tuaja, nuk është e pranueshme që ta çoni një shtet të tërë drejt zgjedhjeve.
Kosova nuk mund të jetë peng i inateve, kalkulimeve dhe konflikteve të askujt. Qytetarët presin përgjegjësi, seriozitet dhe zgjidhje, jo bllokada të reja.



