
Ministrja e Jashtme në detyrë thotë për Deutschlandfunk se drejtësia nuk ka ecur me ritmin e reformave dhe se korrupsioni mbetet sfidë serioze.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz, ka deklaruar se reforma e sistemit të drejtësisë është një nga nevojat më urgjente për Kosovën. Ajo i bëri këto deklarata në një intervistë për median publike gjermane Deutschlandfunk (Dlf), të publikuar më 29 dhjetor.
Në intervistë, Gërvalla-Schwarz përmendi suksesin e arritur nga koalicioni i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke theksuar se rezultati zgjedhor tregon mbështetjen e qytetarëve për reformat e ndërmarra gjatë mandatit të kaluar qeverisës.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit të Dlf-së se cili është problemi më urgjent që Kosova duhet të zgjidhë aktualisht, ajo theksoi se megjithëse është shënuar përparim në fusha të ndryshme, përfshirë uljen e papunësisë, vendi përballet ende me sfida të mëdha strukturore.
“Një reformë e sistemit të drejtësisë është shumë e nevojshme, sepse kemi parë që drejtësia nuk mbajti ritmin me reformat që kanë ndodhur në fushën e shtetit ligjor. Pjesërisht kemi struktura të korruptuara në drejtësi dhe kjo duhet të trajtohet me reforma të qarta”, deklaroi Gërvalla-Schwarz.
Ajo shtoi se forcimi i sundimit të ligjit dhe pastrimi i sistemit të drejtësisë nga ndikimet korruptive mbeten prioritete kyçe për qeverinë e ardhshme, me synim rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet shtetërore dhe afrimin e Kosovës me standardet evropiane.



