
Kryeministri thotë se fillimisht duhet të përfundojnë certifikimi i rezultateve, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë e ka bërë të qartë synimin e saj për një mandat të dytë në postin e së parës së shtetit, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se për këtë çështje do të ketë së shpejti bisedime direkte me të.
Kurti, i cili pas shpalljes së fitores më 28 dhjetor ishte shprehur i gatshëm për bashkëpunim me partitë e tjera rreth zgjedhjes së presidentit, ka ritheksuar edhe sot se fillimisht do të zhvillojë një takim me presidenten Osmani për të diskutuar rrugën përpara.
Megjithatë, kryeministri ka theksuar se prioritet mbetet certifikimi i rezultateve zgjedhore, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë së re. Sipas tij, bllokimet e mundshme në këto procese tashmë nuk ekzistojnë.
“Ne së pari do të presim certifikimin e rezultatit, duhet të konstitutohet Kuvendi dhe ta shohim përbërjen e legjislaturës së dhjetë, e më pas të ecim tutje. Siç kam thënë, shpejt do ta takoj presidenten Osmani dhe duhet të bisedojmë bashkë për rrugën përpara. Por, njëherë është konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë, e vetëm më pas zgjedhja e presidentes apo presidentit”, deklaroi Kurti para gazetarëve.
Mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundon në prill të vitit 2026. Ajo është zgjedhur presidente e Kosovës më 4 prill 2021.



