Babai i viktimës akuzon vëllain dhe nipin e Halil Thaçit: E rrahën djalin tim me stupc bejsbolli

Dali Berisha pretendon se djali i tij u sulmua nga vëllai dhe nipi i kryetarit Halil Thaçi me boks hekuri dhe shufër bejsbolli.

Një rast i rëndë dhune ka ndodhur në Obiliq, ku një i ri është sulmuar brutalisht nga dy persona me mjete të forta. Lidhur me këtë ngjarje, Nacionale ka biseduar me babain e viktimës, Dali Berisha, i cili ka dhënë detaje për rrethanat dhe shkakun e sulmit.

banner

Sipas Berishës, gjithçka ka nisur rreth një vit më parë, kur djali i tij dhe djali i vëllait të kryetarit të Obiliqit, Halil Thaçi, kishin pasur një konflikt në shkollë. Ai thotë se bëhej fjalë për një problem mes fëmijësh, i cili ishte lënë pas, por që tani ka eskaluar në dhunë të rëndë.

Berisha rrëfen se sulmi i fundit ka ndodhur në oborrin e miqve të djalit të tij. Viktima kishte shkuar aty pasi ishte njohur me një vajzë, kur papritur është sulmuar nga dy persona.

Sipas tij, në sulm kanë marrë pjesë vëllai i kryetarit Halil Thaçi dhe djali i tij, të cilët, siç pretendon Berisha, i kanë zënë pritë djalit të tij dhe e kanë goditur me mjete të forta.

“Vëllai i Halil Thaçit, bashkë me djalin e tij, i kanë dalë djalit tim në pritë, në oborrin e miqve. Djali është sulmuar me boks hekuri dhe shufër bejsbolli,” ka deklaruar Berisha.

Ai thotë se gjendja shëndetësore e djalit është shumë e rëndë, pasi ka pësuar lëndime serioze nga goditjet.

“Gjendja e djalit është shumë e keqe, është shumë i dëmtuar,” ka shtuar ai.

I revoltuar nga rasti, Berisha ka paralajmëruar se të hënën do të protestojë para Komunës së Obiliqit, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit Halil Thaçi, të cilin e konsideron moralisht përgjegjës për ngjarjen.

“Prej të hënës do të shkoj para komunës së Obiliqit dhe do të kërkoj dorëheqjen e tij. Unë jam veteran i luftës,” ka deklaruar Berisha.

Lidhur me rastin, pritet edhe reagimi i organeve të rendit dhe i Komunës së Obiliqit, ndërsa hetimet policore janë në zhvillim.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.