
Kryeministri i Sllovakisë kërkon një reagim të fuqishëm të BE-së ndaj veprimeve të njëanshme të SHBA-së në Venezuelë.
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të Nicolas Maduros nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar veprimin si një “shkelje të ligjit ndërkombëtar”. Fico e lidhi këtë veprim me ndërhyrjet e mëparshme të fuqive të mëdha, duke përmendur edhe Kosovën si shembull ku SHBA-të sipas tij kanë shkelur sovranitetin e një shteti tjetër.
Në një postim në rrjetet sociale, Fico deklaroi: “Veprimi ushtarak amerikan në Venezuelë është një dëshmi e prishjes së rendit botëror që u krijua pas Luftës së Dytë Botërore. Ligji ndërkombëtar nuk zbatohet, fuqia ushtarake përdoret pa mandat nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe çdo fuqi e madhe vepron sipas interesave të veta.”
Kryeministri sllovak shtoi se si lider i një vendi të vogël, ai duhet të refuzojë çdo shkelje të ligjit ndërkombëtar, duke përmendur më parë moimin e Kosovës si shtet sovran, përdorimin e forcës ruse në Ukrainë dhe situatën në Gaza.
Fico shprehu shqetësim për reagimin e Bashkimit Evropian ndaj veprimeve ushtarake të SHBA-së në Venezuelë, duke theksuar nevojën për një përgjigje të fuqishme dhe të koordinuar. “Jam shumë kurioz se si do të reagojë BE ndaj sulmit në Venezuelë, që meriton të dënohet. Ose përdorimi i forcës amerikane do të dënohet në mënyrë konsistente me qëndrimet ndaj luftës në Ukrainë, ose, si zakonisht, do të mbetet farisean,” tha ai.
Sipas Ficos, ky është një moment kyç për Bashkimin Evropian për të testuar qëndrimin e tij ndaj veprimeve të njëanshme të fuqive të mëdha dhe përdorimit të forcës ushtarake pa mbështetje ndërkombëtare.



