
Kryeministrja daneze kritikon “presionin e papranueshëm” të Trump, ndërsa udhëheqësit e Greenlandit refuzojnë fantazitë për aneksim.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka paralajmëruar se një sulm i Shteteve të Bashkuara ndaj një aleati të NATO-s, si Greenlandës, do të shënonte fundin e aleancës ushtarake dhe të “sigurisë pas Luftës së Dytë Botërore”. Deklarata e saj vjen pas kërcënimeve të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e ishullit, një territor me autonomi të gjerë që vazhdon të jetë pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Frederiksen tha për televizionin danez TV2 se sulmet e mundshme kundër një vendi anëtar të NATO-s do të shkatërronin gjithçka, duke përfshirë vetë aleancën dhe rendin e sigurisë ndërkombëtare. Ajo shtoi se qeveria e saj po bën gjithçka për të parandaluar një agresion të tillë dhe e cilësoi presionin e SHBA-së si “të papranueshëm”.
Kryeministri i Greenlandës, Jens-Frederik Nielsen, reagoi ashpër ndaj deklaratave të Trump, duke e quajtur të papranueshme çdo fantazi për aneksim dhe duke theksuar se Greenlanda është “tokë e tyre dhe do të mbetet e tillë”. Ai shtoi se ishulli është i hapur për dialog, por vetëm përmes kanaleve të duhura dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar.
Përkrahje për Frederiksen dhe Nielsen kanë shprehur Bashkimi Evropian dhe fqinjët nordikë, përfshirë Suedinë, Norvegjinë dhe Finlandën, duke theksuar se parimi i integritetit territorial është i pacënueshëm.
Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, kanë intensifikuar tensionet në Arktik, ku SHBA, Kina dhe Rusia luftojnë për dominim mbi burimet minerale dhe pozicionet strategjike ndërsa akulli shkrihet.



