
Cikloni nga Italia sjell reshje intensive shiu, stuhi lokale dhe më pas depërtim të ajrit të ftohtë polar me reshje bore në të gjithë vendin
Sot në Kosovë pritet të mbajë mot plotësisht i vranët, i shoqëruar me reshje të shpeshta shiu. Në orët e mëngjesit dhe paradites vendi do të jetë ende nën ndikimin e masave të ngrohta ajrore, por gjatë ditës situata meteorologjike do të ndryshojë ndjeshëm.
Sipas parashikimeve, cikloni që aktualisht ndodhet mbi Itali do të zhvendoset drejt lindjes së Evropës, duke i hapur rrugë depërtimit të masave të ftohta polare në rajonin tonë. Si pasojë, gjatë ditës dhe veçanërisht në orët e pasdites priten reshje lokale shiu, vende-vende edhe intensive, me mundësi për rrebeshe të fuqishme shiu të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë.
Pasdite vonë do të fillojnë të fryjnë erëra nga veriu, fillimisht në veri dhe verilindje të vendit, duke sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave. Me depërtimin e frontit të ftohtë polar, reshjet e shiut fillimisht mund të ngrijnë në tokë dhe më pas të shndërrohen në reshje bore.
Gjatë mbrëmjes dhe natës, reshjet e borës pritet të përfshijnë të gjithë territorin e Kosovës, duke krijuar shtresa bore në shumë rajone.
Meteorologu Besim Aliu ka bërë të ditur se moti do të mbetet kryesisht i vranët, me riga shiu me intensitet mesatar deri të lartë, ndërsa nga dita e enjte pritet rënie e ndjeshme e temperaturave dhe kalim i reshjeve në borë gjatë natës.



