
Uashingtoni e quan Grenlandën prioritet të sigurisë kombëtare, ndërsa aleatët evropianë rreshtohen në mbështetje të Danimarkës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka qenë duke diskutuar “një varg opsionesh” për ta marrë nën kontroll Grenlandën, përfshirë edhe përdorimin e ushtrisë amerikane, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Në një deklaratë për televizionin BBC të martën, Shtëpia e Bardhë tha se marrja e Grenlandës përbën “prioritet të sigurisë kombëtare” për Shtetet e Bashkuara. Kjo deklaratë vjen pas komenteve të presidentit Trump gjatë fundjavës, kur ai theksoi se SHBA-së “i nevojitet” Grenlanda për arsye sigurie.
Grenlanda është rajon gjysmëautonom dhe pjesë e Mbretërisë së Danimarkës. Këmbëngulja e përtërirë e Uashingtonit për kontroll mbi ishullin gjigant ka nxitur reagime të forta nga aleatët evropianë, të cilët janë rreshtuar në mbështetje të Danimarkës.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, paralajmëroi të hënën se çfarëdo sulmi nga SHBA-ja ndaj Grenlandës do ta sillte fundin e NATO-s.
“Shtëpia e Bardhë” deklaroi se “Presidenti dhe ekipi i tij janë duke diskutuar një varg opsionesh për ta ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, natyrisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit suprem”.
Të martën, gjashtë vende aleate evropiane i dhanë mbështetje Danimarkës përmes një deklarate të përbashkët. Udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Polonisë dhe Danimarkës thanë se “Grenlanda i takon popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e tyre”.
Deklarata u mirëprit nga kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, i cili bëri thirrje për dialog të respektueshëm.
“Dialogu duhet të zhvillohet duke e respektuar faktin se statusi i Grenlandës është i rrënjosur në të drejtën ndërkombëtare dhe në parimin e integritetit territorial”, tha ai.



