
Presidenti amerikan vë në pikëpyetje solidaritetin e aleancës, kritikon Evropën dhe merr merita për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.
Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur sërish dyshime mbi besueshmërinë e NATO-s, duke deklaruar se nuk është i bindur nëse aleatët do ta mbështesnin Uashingtonin në rast se Shtetet e Bashkuara do të kishin realisht nevojë për ndihmë ushtarake.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se SHBA-të “do ta ndihmojnë gjithmonë NATO-n edhe nëse aleanca euro-atlantike nuk do ta bëjë këtë”, duke vënë në pikëpyetje parimin e solidaritetit brenda aleancës. Këto deklarata vijnë vetëm një ditë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se nuk po përjashton mundësinë e ndërhyrjes ushtarake për të siguruar kontrollin mbi Groenlandën, territor autonom i Danimarkës, një vend anëtar i NATO-s.
Trump theksoi gjithashtu se, sipas tij, Rusia dhe Kina “nuk kanë asnjë frikë nga NATO pa Shtetet e Bashkuara”, duke shtuar se këto dy fuqi e respektojnë SHBA-në vetëm nën udhëheqjen e tij. Megjithatë, ai deklaroi se Uashingtoni do të vazhdojë t’i përmbushë detyrimet ndaj NATO-s, edhe nëse, sipas tij, nuk ka garanci për reciprocitet nga aleatët evropianë.
Presidenti amerikan mori merita për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s, duke pretenduar se ai i ka detyruar aleatët të rrisin buxhetet ushtarake nga 2% në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ai ka akuzuar vazhdimisht vendet evropiane se nuk po kontribuonin mjaftueshëm, ndërsa SHBA-të po mbulonin pjesën më të madhe të kostove të mbrojtjes.
Vendet e NATO-s kanë rënë dakord në samitin e mbajtur në qershor në Hagë që objektivi i shpenzimeve të mbrojtjes të rritet në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, një plan afatgjatë që ende kërkon miratim dhe zbatim të plotë nga të gjitha shtetet anëtare.
Në të njëjtin postim, Trump kritikoi edhe Norvegjinë, duke thënë se nuk i është dhënë Çmimi Nobel për Paqe, pavarësisht pretendimit të tij se ka “përfunduar i vetëm tetë luftëra”. “Ajo që ka rëndësi është se kam shpëtuar miliona jetë”, shkroi ai.
Deklaratat e Trump pritet të nxisin reagime të forta nga kryeqytetet evropiane, pasi vënë në pikëpyetje nenin 5 të traktatit të NATO-s, i cili garanton mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare. Ky nen është aktivizuar vetëm një herë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër SHBA-së.
Debati për rolin e Shteteve të Bashkuara në NATO dhe ndarjen e barrës financiare mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në marrëdhëniet transatlantike, në një kohë të rritjes së tensioneve globale me Rusinë dhe Kinën.



