Kurti apelon për kujdes maksimal në rrugë për shkak të ngricave

Temperaturat pritet të zbresin deri në –9°C, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u është drejtuar qytetarëve me një apel urgjent lidhur me gjendjen e qarkullimit rrugor gjatë natës së sontme, e cila pritet të jetë kritike për shkak të kushteve atmosferike.

banner

Sipas paralajmërimeve meteorologjike, kontrasti i madh i temperaturave dhe rënia e tyre deri në –9°C rrit ndjeshëm rrezikun e ngricave, veçanërisht në rrugët që janë të lagura nga reshjet e shiut. Kjo situatë mund të vështirësojë qarkullimin dhe të rrisë rrezikun e aksidenteve.

Kurti ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të garantuar sigurinë. Megjithatë, ai ka theksuar se është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, duke përfshirë pajisjen e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.

Kryeministri u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet gjatë natës nëse nuk janë të domosdoshme. Në rastet kur qarkullimi është i pashmangshëm, ai ka kërkuar vozitje të kujdesshme dhe përshtatje të plotë me kushtet atmosferike.

“Ne po bëjmë maksimumin për t’ju dalë në ndihmë, andaj ju lutemi të kontribuoni në rritjen e sigurisë duke shmangur lëvizjet e panevojshme,” ka përfunduar Kurti në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.