Përparim Rama i hapur për koalicion LDK–VV: Mbështes çdo marrëveshje që i shërben qytetarëve

Kryetari i Prishtinës thotë se do ta përkrahte një koalicion mes LDK-së dhe VV-së në nivel nacional, por mohon ambiciet për ta udhëhequr LDK-në.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se do ta përkrahte një koalicion të mundshëm ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në nivel nacional, nëse një bashkëpunim i tillë do t’i shërbente interesit të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit.

banner

Rama ka theksuar se të gjithë të zgjedhurit në Kosovë janë rezultat i votës së qytetarëve dhe se çdo marrëveshje politike që synon transformimin pozitiv të shoqërisë është e mirëseardhur.

“Unë po them që mendoj që të gjithë të zgjedhurit në kryeqytet, në vend, në Kosovë janë rezultat i votave të qytetarëve për të mirën e Kosovës. Çfarëdo koalicioni që hap proceset me transformu vendin tonë për të mirë janë të mirëseardhura,” është shprehur Rama.

Ai ka folur edhe për raportet e tij me Lëvizjen Vetëvendosje gjatë dy viteve të para të mandatit në komunë, duke theksuar se nuk ka pasur përvojë të mirë bashkëpunimi.

“Sa kam qenë në komunë nuk kam pasë eksperiencë të mirë (me LVV), sepse në dy vitet e para jam munduar me bashkëpunu, por kanë qenë sabotues e bllokues. Megjithatë, uroj që të jenë bashkëpunues tash, sepse nuk ec shoqëria përpara me sabotime,” ka shtuar ai.

Ndërkohë, Rama ka hedhur poshtë spekulimet se mund të jetë kandidat për kryetar të LDK-së, por ka theksuar se do të jetë i gatshëm ta ndihmojë partinë nëse do të ketë nevojë.

“Unë nuk e shoh veten në krye të LDK-së, por do të jem aty për ta ndihmuar partinë sa herë që të jetë e nevojshme,” përfundoi ai.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.