
Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta, familjarë, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues të LDK-së nderojnë figurën e Presidentit Rugova.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, së bashku me familjen Rugova dhe bashkëpunëtorë të LDK-së, kanë bërë homazhe te varri i Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 20-të të ndarjes së tij nga jeta.
Me këtë rast, Abdixhiku dhe të pranishmit vendosën kurora lulesh, duke nderuar jetën dhe veprën e Rugovës, si arkitekt i paqes dhe shtetformimit të Kosovës. Kryetari i LDK-së theksoi se figura e Rugovës mbetet udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në proceset historike të vendit.
“Presidenti Rugova ishte simbol i unitetit, mençurisë politike dhe rezistencës paqësore. Vepra e tij do të jetojë përherë në historinë e Kosovës,” u shpreh Abdixhiku.
Homazhet u zhvilluan në një atmosferë respekti dhe përkujtimi, ku përveç familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të afërt, morën pjesë edhe anëtarë e simpatizantë të LDK-së, si dhe qytetarë të shumtë që erdhën për të nderuar Presidentin Historik në këtë përvjetor të rëndësishëm.



