Ish-punonjësit e “Rilindjes” kërkojnë 20%, padisin Komunën

Pretendojnë se 5.5 hektarë tokë ishin pronë e ndërmarrjes dhe se mjetet nga shitja nga AKP-ja nuk u janë shpërndarë sipas ligjit.

Ish-punonjësit e Ndërmarrjes së Gazetarëve Botues “Rilindja” po kërkojnë nga Komuna e Prishtinës që t’u paguajë 20 për qind të mjeteve nga vlera e një trualli prej 5.5 hektarësh në qendër të kryeqytetit, për të cilin thonë se ka qenë pronë e kësaj ndërmarrjeje.

banner

Përfaqësuesi i punëtorëve të “Rilindjes”, Zeqir Bekolli, tha për RTK-në se prona ishte blerë nga ndërmarrja që në vitin 1971, ndërsa më vonë Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ia ka shitur atë Komunës së Prishtinës.

Sipas tij, Komuna nuk i ka përmbushur obligimet ligjore për ndarjen e 20 për qind të mjeteve për ish-punonjësit, siç parashihet me procesin e privatizimit.

“Ky truall ka qenë pronë e ‘Rilindjes’ dhe mjetet nga shitja janë marrë nga komuna, ndërsa punëtorët nuk kanë përfituar pjesën që u takon”, deklaroi Bekolli.

Ai shtoi se në vitin 2015, AKP-ja përmes një kërkese zyrtare i kishte kërkuar Komunës së Prishtinës që prona t’i kthehej në pronësi ndërmarrjes “Rilindja”, por sipas tij, kjo kërkesë ishte e panevojshme, pasi e drejta pronësore tashmë ishte e qartë.

Për këtë çështje, ish-punonjësit kanë ngritur padi ndaj Komunës së Prishtinës, duke kërkuar realizimin e të drejtave të tyre financiare.

Të kontaktuar nga RTK-ja lidhur me pretendimet e ish-punëtorëve, zyrtarët e Komunës së Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.