
Kryetari i Prishtinës i bën thirrje Qeverisë për bashkëpunim institucional, duke theksuar se projekti është gati prej vitesh dhe jetik për infrastrukturën e qytetit.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ritheksuar nevojën urgjente për realizimin e projektit të Unazës së Kryeqytetit, duke i bërë thirrje Qeverisë që të lërë anash përplasjet dhe inatet politike për të mirën e qytetarëve.
Në një intervistë për emisionin “Frontal” në T7, Rama deklaroi se projekti është teknikisht i përgatitur dhe pret zbatimin prej vitesh, ndërsa e cilësoi atë si tejet të domosdoshëm për përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit në kryeqytet.
Deklarata e tij vjen vetëm një ditë pasi ai i kërkoi publikisht Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të zhbllokojë nisjen e punimeve. Sipas Ramës, llogaritë e ngushta partiake dhe egot personale nuk duhet të bëhen pengesë për projekte madhore zhvillimore, duke kërkuar që prioritet të jetë bashkëpunimi institucional.
Ai u ndal edhe te realiteti politik pas zgjedhjeve, duke pranuar se rezultatet kishin qenë të papritura për të dyja palët. Rama tha se as Kurti nuk e kishte parashikuar që ai do të drejtonte Prishtinën, por as vetë nuk e kishte pritur fitoren e thellë të Lëvizjes Vetëvendosje me mbi 51 për qind të votave.
“Ai e ka paraparë që unë nuk do të jem. Edhe unë nuk e kam paraparë, me të tregu të drejtën, që do t’i fitojë ai 51.11%, kështu që duhet me i rishqyrtu pozicionet”, u shpreh Rama.
Në fund, ai theksoi se përtej dallimeve politike, përgjegjësia ndaj qytetarëve kërkon bashkëpunim të mirëfilltë. “Ne jemi të zgjedhur nga qytetarët dhe kemi nevojë për bashkëpunim që t’i shtyjmë këto procese madhore përpara”, shtoi ai.



