
Adresa në YouTube “Talking Southeast Europe” ka publikuar një dokumentar të shkurtër kushtuar jetës dhe veprës së presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Videoja sjell në pah rolin e tij të pazëvendësueshëm në formësimin e historisë së Kosovës dhe rrugën drejt pavarësisë.
Dokumentari trajton periudhën e hershme të jetës së Rugovës, themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, krijimin e qeverisë paralele në vitet ’90, si dhe përpjekjet e tij të palodhura në arenën ndërkombëtare përmes dialogut dhe diplomacisë.
Një pjesë e veçantë i kushtohet përkushtimit të Rugovës ndaj rezistencës paqësore, si dhe ndikimit të vizionit të tij në shpalljen e pavarësisë më 2008.
Autorët e dokumentarit theksojnë se qasja e Rugovës, e ndërtuar mbi paqe, kulturë dhe diplomaci, mbetet një shembull frymëzues për liderët e rajonit dhe një trashëgimi që ende ndikon zhvillimet politike në Kosovë dhe Ballkan.
Ky dokumentar u ofron shikuesve një pasqyrë të rëndësishme mbi presidentin shqiptar që vazhdon të konsiderohet nder i kombit dhe simbol i stabilitetit e bashkëjetesës paqësore.
Ndryshe, Talking Southeast Europe është një kanal në YouTube që ofron dokumentarë dhe materiale edukative mbi historinë, kulturën dhe trashëgiminë e Evropës Juglindore. Qëllimi i tyre është të prezantojnë ngjarje historike, praktika kulturore dhe figura të rëndësishme të rajonit, duke ofruar një pasqyrë të thelluar dhe tërheqëse për shikuesit.



