
Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha qëndruan në Burojë te nëna e Hashim Thaçit, zonja Hyrë, duke theksuar solidaritetin me ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Përfaqësuesit e platformës “Liria ka emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, vizituan sot në Burojë nënën e ish-presidentit Hashim Thaçi, zonjën Hyrë, nga ku kërkuan dhe morën mbështetje për marshin që pritet të mbahet më 17 shkurt në ora 14:00.
Sipas një postimi të platformës, vizita u zhvillua në shenjë solidariteti dhe për të siguruar përkrahje për marshin në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me gjykimin në Hagë.
“Në Burojë, te pragu i një nëne që ka dhënë shumë për këtë vend, ndjemë peshën e historisë dhe forcën e heshtur të qëndresës. Nënë Hyrë qëndron si simbol i sakrificës, dinjitetit dhe besimit se drejtësia do të triumfojë,” thuhet në reagim.
Platforma thekson se beson në kthimin e Thaçit në Kosovë, duke e cilësuar marshin e 17 shkurtit si një akt për drejtësi dhe dinjitet.
“Sepse liria jonë nuk është rastësi. Është sakrificë. Është betim. Është histori që nuk zhbëhet. Më 17 shkurt, marshojmë jo vetëm me hapa, por me zemër. Për drejtësi. Për dinjitet. Për kthimin e çlirimtarëve në shtëpi,” përfundon postimi.



