Abdixhiku: Ka pasur ndërhyrje të “grupeve të interesit” në Kuvendin e LDK-së, do të nis hetim të brendshëm

Kreu i partisë thotë se është i pakënaqur me interferimet e grupeve të interesit gjatë votëbesimit të 31 janarit

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për herë të parë pas votëbesimit të 31 janarit, duke deklaruar se megjithëse i mbijetoi procesit, mbetet i pakënaqur me ndërhyrjet e mundshme të grupeve të interesit gjatë Kuvendit të partisë.

banner

Në një paraqitje në emisionin Debat Plus, Abdixhiku bëri të ditur se do të iniciojë një hetim të brendshëm për të verifikuar praninë e personave të paautorizuar dhe ndikimet e mundshme në procesin e votimit.

“Jam i pakënaqur me interferimet e grupeve të interesit në Kuvendin e LDK-së. Duket se ka pas një përmasë të madhe të njerëzve jashtë sallës. Do merremi me këtë. Po punoj me një trup hetimore të brendshme që do të merret me gjithë njerëzit e paautorizuar që kanë qenë në kuvendin e LDK-së… në qoftë se ka pas influenca të grupeve të paautorizuara, në qoftë se ka pas biznese në dhomat lartë me mjete për të ndikuar në vullnetin e lirë të anëtarësisë. Do të përgjigjen të gjithë”, ka thënë Abdixhiku.

Ai i mbijetoi votëbesimit me 54 për qind të votave të organit më të lartë drejtues të partisë, duke siguruar vazhdimin e mandatit deri në zgjedhjet e reja brendapartiake pas dy vitesh. Ndërkaq, 46 për qind e delegatëve votuan për largimin e tij nga posti i kryetarit.

Procesi i votëbesimit erdhi pas rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ku LDK-ja mori 13.24 për qind të votave, rezultati i dytë më i dobët i partisë që nga paslufta. Abdixhiku kishte ofruar dorëheqjen para Kuvendit, duke e cilësuar atë si akt përgjegjësie personale.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.