
Zyrtari i VV-së thekson se mospjesëmarrja e deputetëve në seanca nuk mund të bllokojë procesin e votimit për Presidentin dhe propozon ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese për të detyruar votimin.
Blerim Sallahu nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se, referuar strukturës kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO29/11, vendi nuk shkon automatikisht në zgjedhje nëse Presidenti nuk zgjidhet deri më 4 mars 2026, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve në seanca plenare dhe në votime.
Ai ka sqaruar se zgjedhjet parlamentare mbahen vetëm në rast se pas tre raundeve të votimit, asnjëri nga kandidatët për President nuk arrin shumicën e kërkuar: 80 vota në dy raundet e para dhe 61 vota në raundin e tretë.
Sipas Sallahu-t, nëse Presidenti zgjidhet pas afatit të 4 marsit, zgjedhja konsiderohet kundërkushtetuese për shkak të numrit të votave që nuk respektojnë Kushtetutën.
Për të parandaluar këtë situatë dhe papërgjegjësinë e deputetëve, Sallahu propozon që procesi i zgjedhjes së Presidentit të dërgohet te Gjykata Kushtetuese me kërkesë për masë të përkohshme, në mënyrë që deputetët të detyrohen të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë, duke iu referuar edhe aktgjykimeve të mëparshme KO193/25 dhe KO196/25 dhe Opinionit të Komisionit të Venecias.
Ai ka theksuar se kjo është e nevojshme për të respektuar obligimet kushtetuese të deputetëve dhe për të siguruar që zgjedhja e Presidentit të mos bllokohet nga mungesa e pjesëmarrjes.



