Kadri Kryeziu: Dekreti i Vjosa Osmanit ishte i domosdoshëm, nuk kishte tjetër alternativë

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese thotë se presidentja nuk ka pasur alternativë tjetër dhe se përgjegjësia për situatën bie mbi deputetët.

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka komentuar vendimin për masën e përkohshme ndaj dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, gjatë një interviste në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

banner

Kryeziu deklaroi se, sipas vlerësimit të tij, presidentja Vjosa Osmani nuk ka pasur alternativë tjetër dhe se dekreti për shpërndarjen e Kuvendit ka qenë në përputhje me situatën e krijuar.

“Do të përbënte shkelje të kompetencave nëse nuk do të veprohej, sepse nuk ka pasur alternativë tjetër. Kush e shpjegon një alternativë tjetër, atëherë është mendimi i tij i lirë, por sipas meje nuk ka pasur alternativë, sepse ky mandat kishte përfunduar”, ka thënë Kryeziu.

Ai theksoi se, sipas Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur për shkak të procedurave parlamentare.

“Këtu ka pasur edhe shkelje në procedurë, sepse në momentin e thirrjes së mbledhjes që bën konstituimin e një organi, për nisjen e seancës duhet të kemi kuorum. Duhet të jenë të pranishëm 80 deputetë. Me 79 deputetë nuk mund të fillojë seanca”, ka deklaruar ai.

Sipas Kryeziut, në momentin kur është parë se nuk ka numrin e nevojshëm të deputetëve në sallë, seanca nuk është dashur të fillonte.

“Seanca që nisi atë ditë ishte jashtë rregullores, sepse duhet të jenë të pranishëm 80 deputetë. Në momentin që është parë se nuk janë 80 deputetë, seanca nuk është dashur të fillonte”, është shprehur ai.

Ish-nënkryetari i Kushtetueses shtoi se përgjegjësia për situatën e krijuar bie mbi deputetët e Kuvendi i Kosovës.

“Deputetët kanë dështuar ta kryejnë detyrën e tyre për zgjedhjen e presidentit. Kur deputetët dështojnë, atëherë masa ndëshkuese është shpërndarja e Kuvendit ose marrja e mandatit të deputetëve”, ka thënë Kryeziu.

Ai përfundoi se dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit është i drejtë.

“Sipas mendimit tim, dekreti i Osmanit është me të drejtë, sepse nuk ka pasur alternativë tjetër dhe ajo ka bërë atë që është dashur të bëjë”, ka deklaruar Kryeziu.

Më tej, ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se neni 86, pika 2 e Kushtetutës interpretohet në mënyrë të ngjashme me nenin 66, pika 2, i cili përcakton afatet për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Sipas nenit 66.2 të Kushtetutës së Kosovës, zgjedhjet e rregullta për Kuvendi i Kosovës mbahen më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit të Kuvendit, ndërsa në rast të shpërndarjes së tij, ato duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.