
Lëvizja e mbështetur nga studentët në Serbi, e cila sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve parlamentare ka mposhtur Partinë Progresive Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit, ka nisur aksionet për pastrimin e hapësirave publike, ndërsa përgatitet të formojë qeverinë e re.
Fitorja vjen pas dy vitesh protestash, të cilat nisën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, në vitin 2024, ku humbën jetën 16 persona.
Të hënën, studentët dhe qytetarët iu bashkuan një aksioni për pastrimin e një parku pranë ndërtesës së Presidencës në Beograd. Hapësira ishte zënë për më shumë se një vit nga një kamp i ngritur nga mbështetësit e qeverisë.
Brenda disa orësh, parku u pastrua dhe këndi i lojërave u bë sërish i përdorshëm për fëmijët, shkruan france24, transmeton Telegrafi.
Dhjetëra qytetarë morën pjesë në pastrimin e një tuneli në qendër të Beogradit, muret e të cilit ishin mbushur me mbishkrime nga palët kundërshtare politike.
Ndër mbishkrimet e shfaqura nëpër qytet ishin “Siptar”, “FCK BLK”, dhe “FCK SNS”.
Grafiti i parë përdoret për fyerjen dhe nënçmimin e shqiptarëve.
I dyti u drejtohej protestuesve, të cilët autoritetet i kishin cilësuar si bllokues, ndërsa i treti shënjestronte Partinë Progresive Serbe të Vuçiqit.



