
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka propozuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës të dhurojnë një pjesë të pagës së 13-të për të mbështetur fëmijët me autizëm.
Sadiku tha se, ndonëse Kuvendi nuk ka qenë aktiv siç duhet në këtë periudhë, nga viti 2025 deri më sot deputetët kanë marrë pagën e 13-të.
“Në një vend ku njerëzit luftojnë çdo ditë për jetesë, kjo nuk ka as logjikë, as ndjeshmëri. Një vend që mbështetet tek sektori privat, i cili nuk e ka marrë pagën e 13-të”, ka deklaruar ai.
Ai propozoi që secili deputet të kontribuojë me nga 500 deri në 1000 euro nga kjo pagë.
“Së bashku mund të bëjmë mbi 50 mijë euro. Nesër është dita e fëmijëve me autizëm. Për ne është pak, për ta ka shumë vlerë. Sepse politika fillon me njerëzinë”, ka shtuar Sadiku.
Deputeti i LDK-së tha gjithashtu se ai vetë nuk e ka marrë pagën e 13-të, por do të kontribuojë me të njëjtën shumë.



