
Mandatari hungarez: Hungaria nuk do të bëhet “deponi për kriminelë të kërkuar”.
Mandatari i ardhshëm për kryeministër të Hungarisë, Peter Magyar, ka paralajmëruar mundësinë e deportimit të ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i cili prej vitesh ndodhet në Hungari.
Në një konferencë për media, i pyetur nga gazetarët për dy ish-ministra polakë të kërkuar për korrupsion nga qeveria e re e Polonisë dhe që kanë gjetur strehim në Hungari, Magyar deklaroi se ata – përfshirë edhe Gruevskin – nuk do të qëndrojnë gjatë në vend.
“Hungaria nuk do të bëhet deponi për kriminelë të kërkuar ndërkombëtarisht. Kjo vlen jo vetëm për ish-ministrat polakë, por edhe për Nikolla Gruevskin. Në fund të fundit ai është ish-kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe kriminel i kërkuar”, tha Magyar.
Ish-kryeministri Gruevski ndodhet në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg në rastin “Tank”. Ai arriti të largohej nga vendi dhe më pas mori azil politik në Hungari, duke pretenduar se ishte i përndjekur politikisht nga qeveria e atëhershme e kryeministrit Zoran Zaev.
Në vitin 2019, autoritetet hungareze refuzuan zyrtarisht kërkesën e Maqedonisë së Veriut për ekstradimin e tij.



