
Të mërkurën, Ursula von der Leyen u thirr të mbajë një fjalim të rëndësishëm mbi situatën aktuale të Bashkimit Evropian, që për momentin përbëhet nga 27 vende anëtare. Gjatë adresimit të saj në Parlamentin Evropian, kryetarja e Komisionit paralajmëroi se në një të ardhme jo shumë të largët, unionit do t’i shtohen edhe 8 vende të tjera, raporton Klan Kosova.
Duke sqaruar se bëhet fjalë për gjashtë republikat ballkanike, përfshirë Kosovën, dhe dy vende nga Lindja e Evropës, ajo i dha disa epitete këtij zgjerimi.
Në këtë fjalim, kryetarja e KE-së u bë ndër njerëzit e parë me pozitë kaq të lartë në Bruksel që foli edhe për heqjen e votimit unanim për politika kritike që ndërmerr BE-ja.
Sa i përket procesit të integrimeve, Republika e Kosovës gjendet në pozitën më të pafavorshme krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit. Vendi nuk ka ende statusin e vendit kandidat, megjithëse aplikimi u bë në dhjetor 2022. Sipas Brukselit, nuk mund të procedojnë me aplikimin pasi që nuk ka pajtim nga të gjitha shtetet anëtare.



