
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një tubimi me mërgimtarë në Zvicër, ka folur për ndotjen e ajrit në Kosovë dhe investimet në sektorin energjetik.
Kurti tha se qeveria do të vazhdojë investimet në termocentralet e KEK-ut për të rritur prodhimin dhe ulur ndotjen.
“Do të përqendrohemi në sigurinë dhe rritjen energjetike të Kosovës”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, filtrat që do të vendosen në termocentralin “Kosova B” do ta zvogëlojnë ndjeshëm ndotjen.
“Filterët që do të vendosen në Kosova B do ta ulin emetimin e pluhurit për 97 për qind dhe emetimin e oksideve të azotit për 76 për qind”, tha Kurti.
Ai shtoi se është i vetëdijshëm që ndotja e ajrit u pengon mërgimtarëve kur vijnë në Kosovë.
“E di që ju bashkëatdhetarë kur vini në vendlindje, ndotja që ekziston te ne iu pengon shumë”, u shpreh Kurti.



