
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me mbajtjen e tubimit politik në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Me këtë vendim, në fuqi mbetet vendimi i PZAP-së që i jep të drejtë PDK-së ta mbajë tubimin përmbyllës të fushatës në këtë shesh.
Sipas Supremes, ankesa e VV-së ishte e pabazuar.
“Nga shkresat e lëndës rezulton se subjekti politik PDK kishte dorëzuar kërkesën për mbajtjen e tubimit politik në Sheshin ‘Skënderbeu’ më 30.04.2026, ndërsa LVV kishte paraqitur kërkesën më 08.05.2026”, thuhet në vendim.
Gjykata vlerësoi se PDK-ja ishte subjekti i parë që kishte rezervuar hapësirën.
Po ashtu, Supremja konstatoi se Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Prishtinë kishte vepruar në përputhje me Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024.
Gjykata hodhi poshtë edhe pretendimet e VV-së për mungesë arsyetimi nga PZAP-ja, duke thënë se vendimi ishte i qartë dhe i mbështetur në dispozitat ligjore.
“Ankesa u refuzua si e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është lënë në fuqi”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.



