
Kryetarja në detyrë e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar llogaridhënie dhe dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Çitaku ka thënë se rasti i Arlindës është dëshmi tronditëse se si dështimi i institucioneve mund të marrë jetë njerëzish.
“Mbrëmë, Arlinda u vra. U vra nga kunati i saj. Ajo la pas një dëshmi tronditëse për mënyrën se si dështimi i institucioneve mund të marrë jetë njerëzish”, ka shkruar ajo.
Sipas Çitakut, Arlinda është gruaja e tetë e vrarë këtë vit, ndërsa ka kërkuar të sqarohet se kush mban përgjegjësi.
“Tetë gra. Tetë jetë të humbura. Familje të shkatërruara. Dhe pyetja që nuk mund të shmanget: kush mban përgjegjësi?”, ka pyetur ajo.
Çitaku ka vlerësuar se konferencat, ligjet dhe strategjitë mbeten vetëm në letër nëse nuk shoqërohen me masa konkrete për mbrojtjen e grave në rrezik.
“Kërkohen llogaridhënie dhe dorëheqje. Nga ata që kishin detyrë ta mbronin Arlindën. Nga secili në zinxhirin e përgjegjësive, roli dhe veprimet e të cilit duhet të shqyrtohen”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se nuk mjaftojnë më ngushëllimet dhe zotimet, por duhet të bëhet e ditur se çfarë ndodhi, kush nuk e kreu detyrën dhe cilat do të jenë pasojat.
“Jeta e një gruaje nuk mund të jetë çmimi i indiferencës, neglizhencës apo dështimit institucional”, ka përfunduar Çitaku.



