
85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora kanë hyrë në procesin e verifikimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, para se të nisë numërimi i tyre. E paralelisht, në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon numërimi i votave të kandidatëve. Në KQZ njoftuan se procesi tashmë është përmbyllur në nëntë komuna
Të martën ka filluar verifikimi i votave nga diaspora, proces që i paraprin numërimit të fletëvotimeve nga jashtë vendit.
Sipas të dhënave të prezantuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga 23 kuti postare janë tërhequr 85,700 pako me fletëvotime.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar hapja e tyre dhe verifikimi nëse i përmbushin kriteret ligjore për t’u konsideruar vota të vlefshme.
“Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ka filluar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi jashtë Kosovë që deri më tani janë sjellë në Kosovë. Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Krahas 85,700 votave me postë, janë edhe 22,860 të tjera nga votimet fizike në përfaqësitë diplomatike.
Nëse votat me postë janë të gjitha të rregullta, numri i fletëvotimeve nga diaspora arrin në 108 mijë.
E në ditën e dytë të numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit, procesi ka shkuar në mbi 40% në nivel vendi.
Deri tash numërimi ka përfunduar në komunat: Zveçan, Zubin Potok, Junik, Mamushë, Shtërpcë, Han i Elezit, Kllokot, Ranillug dhe Partesh.
Afër përfundimit është edhe numërimi për komunat e Shtimes, Novobërdës dhe Obiliqit.
Materiali nga këto komuna dërgohet në QNR, ku skanohen listat e votuesve.
Ky proces është parakusht për fillimin e numërimit të rreth 8 mijë e 700 votave me kusht.
Skanimi i listës së votuesve që është përdorur në vendvotime është i domosdoshëm para se të fillohet me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse i ndihmon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se askush nuk ka votuar dy herë: në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht”, ka thënë zëdhënësi Elezi.
Në 37 komuna numërimi ka filluar të hënën, ndërsa në Vushtrri të martën në mëngjes.
Në Qendrën Komunale të Numërimit në Vushtrri kanë thënë se një ditë më parë ka pasur probleme me internet, të cilat janë sanuar.
Në komunat më të vogla, numërimi pritet të përfundojë gjatë kësaj jave, ndërsa në ato me numër më të madh votuesish gjatë javës së ardhshme.
Në të gjithë procesin janë të angazhuar mbi 20 mijë numërues, të organizuar në dy turne pune.



