
Publicisti Veton Surroi ka vlerësuar se protestat kundër projektit turistik në Zvërnec dhe Sazan po shënojnë një moment të rëndësishëm në zhvillimin e qytetarisë në Shqipëri.
Në një reflektim të titulluar “Pika rrëfimi për një pjekuri të re qytetarie shqiptare”, Surroi argumenton se kjo lëvizje dallon nga protestat tradicionale politike.

“Lëvizja nuk ka prijës tradicional partiak dhe rrjedhimisht, nuk ka cak tradicional partiak”, ka shkruar ai.
Sipas Surroit, qëllimi i protestuesve nuk është zëvendësimi i partisë aktuale në pushtet me partinë aktuale në opozitë, por artikulimi i një kundërshtimi qytetar ndaj një modeli të caktuar vendimmarrjeje.
Ai e sheh hyrjen në javën e dytë të protestave si një zhvillim me rëndësi të veçantë, që mund të sinjalizojë një formë të re angazhimi qytetar në Shqipëri, të pavarur nga logjika tradicionale partiake.



