Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar Qeverinë Kurti për neglizhencë dhe propagandë pas tragjedisë së fundit në autostradë dhe vendimit për ndarjen e 4.67 milionë eurove për largimin e dheut.
Sipas Ramës, qeveria ka dështuar të trajtojë problemet me kohë dhe po u kushton qytetarëve si me taksa ashtu edhe me sigurinë e tyre.
“Kjo është fotografia më e qartë e një qeverisjeje që reagon vetëm kur është tepër vonë”, ka shkruar ai.
Por reagimi nuk ka munguar nga zyrtari i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli, i cili i është kundërpërgjigjur Ramës duke e ftuar që fillimisht të merret me problemet e kryeqytetit.
“Para se të flasësh për makropolitika, pastroje Kryeqytetin nga mbeturinat. Para se të flasësh për makropolitika, sill autobusët e rinj që i ke premtuar për transportin urban”, ka shkruar Kërçeli.
Ai ka përmendur gjithashtu vonesat në projektet infrastrukturore në Prishtinë, përfshirë Rrugën A dhe problemet në komunikacion.



