Panairi i Librit hapet me mesazhe për më shumë lexim

Edicioni i 26-të i Panairit të Librit në Prishtinë është hapur mesditën e sotme. Rreth 60 botues do të marrin pjesë për pesë ditë në ekspozitën më të madhe të librit në vend.

Në hapje të kësaj ngjarjeje është bërë thirrje për më shumë vëmendje ndaj librit, por edhe ndaj hapësirave për aktivitete kulturore, siç është Panairi i Librit.

banner

“Potenciali krijues i këtij vendi është shumë më i madh sesa hapësira që kemi në dispozicion. Prandaj, lutja ime e sinqertë për ata që e kanë mundësinë ta bëjnë këtë prioritet është që t’i japim Kosovës një qendër moderne për kulturën dhe panairet. Jam i bindur se përfitimet që i sjell shoqërisë janë shumëfish më të mëdha sesa çdo investim tjetër”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se leximi është një nga mënyrat e para përmes së cilës njeriu mëson të kuptojë botën dhe veten.

“Një fëmijë që lexon me vëmendje mëson ta ndjekë mendimin deri në fund dhe ta dallojë të vërtetën. Mëson të bëjë pyetje, të krahasojë, të mos ngutet në përfundime. Mëson se jo çdo fjalë që tingëllon e sigurt është e vërtetë. Një qytetar që lexon e kupton më mirë lajmin, ligjin, premtimin politik, kontratën, historinë, dokumentin zyrtar dhe të drejtën e vet”, ka thënë ajo.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se një popull që lexon ndërton institucione më të forta, shtete më stabile dhe shoqëri më të drejta.

“Ai e kupton se demokracia nuk mbrohet vetëm me ligje, por me vetëdije. Një popull që lexon e mbron historinë e tij, sepse e njeh atë. Nuk lejon që ajo të shtrembërohet, të harrohet apo të shkruhet nga të tjerët. Ai e kupton se identiteti dhe kujtesa e përbashkët janë themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja. Por, mbi të gjitha, një popull që lexon zhvillon sensin e progresit dhe të zhvillimit”, ka thënë Rama.

Sikurse në vitet e kaluara, Panairi i Librit po mbahet në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Botimet KOHA sivjet në ngjarjen e librit sjell 120 tituj. Prej tyre, gjashtë janë të rinj, botime ekskluzive për Panairin e Librit. “Rrëfimi për kufijtë e Luginës së Preshevës” me autor Skënder Latifin, “Përmbytja” nga Granit Zela, “Jugosllavija i Kosovo” i Azem Vllasit, “Një amerikane në Kosovë” i Janet Reineck, vepra “Thesaret e humbura” e Muharrem Blakajt dhe “Ikja si shpëtim” e Ibrahim Kadriut janë veprat e reja me të cilat Botimet KOHA prezantohen gjatë ditëve të Panairit.

Sikurse viteve të kaluara, edhe sivjet kjo shtëpi botuese vjen me çmime speciale.

Back to top button
Close

Adblock u detektua.

Ju lutemi, çaktivizojeni.