
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, ka dënuar heqjen e flamurit të ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë të shtunën mbrëma gjatë protestës.
Përmes një reagimi në Facebook, Ministria e Jashtme ka thënë se ky veprim nuk përfaqëson Shqipërinë e as popullin shqiptar dhe bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes.
Që tri javë, në Shqipëri nisën protestat për të kundërshtuar projektet e zhvillimit turistik në zonat e mbrojtura të Sazanit dhe Zvërnecit. Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Ministria riafirmon angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Ne shprehim solidaritetin tonë me Ambasadën e Shtetit të Izraelit dhe theksojmë se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk mund dhe nuk do të kenë vend në një shoqëri demokratike”, thuhet mes tjerash në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
Çështja e projekteve turistike në Sazan dhe Zvërnec është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare, ndërsa grupe ambientaliste dhe organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për ndikimin e mundshëm në zonat e mbrojtura dhe mungesën e transparencës në procedurat e zhvillimit të projektit.
Projekti ndërtimor atje lidhet me dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.



