
Keir Starmer, ka dhënë të hënën dorëheqjen nga pozita e kryeministrit të Britanisë së Madhe e po ashtu nga ajo e liderit të Partisë Laburiste, duke i hapur rrugën Britanisë që të ketë kryeministrin e saj të shtatë në vetëm 10 vjet, shkruan KOHA.
Më pak se dy vjet pasi arriti një fitore dërrmuese në zgjedhje, e cila premtonte t’i jepte fund kaosit në politikën britanike, Starmer ka deklaruar të hënën se ishte bërë më se e qartë se partia e tij dëshironte largimin e tij.
Ai ka thënë se çdo vendim që ka marrë në detyrë ka qenë për “ta vënë në radhë të parë vendin e tij që e do shumë”
Ai ka njoftuar po ashtu se nominimet për kandidatët që do ta zëvendësojnë do të hapen më 9 korrik. Megjithatë, rivali i tij, Andy Burnham, konsiderohet favorit i qartë.
Presioni ndaj Starmerit, i cili kishte ardhur duke u rritur prej muajsh, u shtua ndjeshëm të premten kur Burnham, kryetari i qarkut Greater Manchester, fitoi bindshëm një zgjedhje parlamentare për t’u rikthyer në Westminster, duke mposhtur kandidatin e partisë së Nigel Farage, “Reformo Mbretërinë e Bashkuar ”, e cila ka kryesuar sondazhet kombëtare për më shumë se një vit.
Kjo fitore u dha shpresë deputetëve laburistë se Burnham, një politikan me përvojë i njohur për aftësitë e tij komunikuese, mund të ndryshojë fatin e partisë, e cila ka humbur mbështetje nën drejtimin e Starmerit, popullariteti i të cilit ka rënë në nivelet më të ulëta për çdo lider britanik.
Andy Burnham, i cili mund të zëvendësojë kryeministrin, do të jetë të hënën në Westminster për t’u betuar si deputet për Makerfield, pasi ka fituar zgjedhjet e pjesshme javën e kaluar.
Kryeministri Starmer dhe aleatët e tij kishin këmbëngulur për javë të tëra se do të luftonin çdo sfidë për udhëheqjen nga Burnhami ose nga kushdo tjetër, përpara zgjedhjeve të pjesshme në Makerfield, në të cilat Burnham siguroi rikthimin e tij në Parlament.
Megjithatë, të dielën në mëngjes, sekretari për biznesin, Peter Kyle, i ka thënë Sky News se Starmer po e kalon fundjavën duke “reflektuar mbi realitetet politike” me të cilat po përballet.



