
Punëtorët e kompanisë “MABCO” të biznismenit të njohur shqiptar, Behgjet Pacolli, janë penguar të kryejnë detyrën e tyre në Aeroportin e Vlorës, përkundër që Gjykata e Lartë ia njohu të drejtën e administrimit kompanisë së Pacollit.
Siç shihet edhe nga pamjet, punonjësit e Pacollit janë përplasur me rojet e sigurisë të kompanisë “2A” të Valon Ademit, duke hyrë më pas me forcë brenda kantierit dhe nxorën jashtë punonjësit e tjerë, raporton Ballkan Web.
Përmes një deklarate më 21 qershor, Behgjet Pacolli deklaroi se “MABCO” është zotëruese e 98% të kuotave të kapitalit të VIA-s dhe përbën subjektin kryesor mbajtës të të gjitha detyrimeve, përgjegjësive dhe ekspozimeve që lidhen me koncesionin, në aspektin profesional, teknik, referencial dhe financiar. “MABCO” mban ekspozimin financiar kryesor në këtë projekt, në vlerë që tejkalon 310 milionë euro, shkruan tutje Ballkan Web.



