
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, ka bërë thirrje për një reformë të thellë të sistemit ekonomik dhe tatimor në Shtetet e Bashkuara, duke propozuar vendosjen e një takse kombëtare për miliarderët dhe krijimin e një “kontrate të re shoqërore”.
Në një artikull të publikuar në platformën e tij, Newsom argumenton se pabarazia ekonomike në SHBA ka arritur nivele alarmante dhe se sistemi aktual favorizon shtresën më të pasur të shoqërisë.
“Është koha për një taksë kombëtare për miliarderët dhe për një kontratë të re shoqërore. Dhjetë për qind e amerikanëve zotërojnë dy të tretat e pasurisë. Pagat kanë ngecur në vend, ndërsa kostoja e jetesës është rritur në mënyrë marramendëse. Sistemi është thelbësisht i prishur”, shkruan ai.
Sipas Newsomit, kodi federal i taksave, rregullat për korporatat dhe ligjet mbi trashëgiminë janë ndërtuar për një realitet tjetër ekonomik dhe u japin avantazh kryesisht miliarderëve.
Në mesin e propozimeve të tij janë vendosja e një norme minimale tatimore për individët me pasuri mbi 100 milionë dollarë, mbyllja e boshllëqeve ligjore që u lejojnë miliarderëve të shmangin taksat përmes kredive të garantuara me aksione, reforma në taksën mbi trashëgiminë dhe rritja e tatimit mbi korporatat.
Newsom propozon gjithashtu krijimin e një fondi publik kombëtar për inteligjencën artificiale, me synimin që qytetarët amerikanë të përfitojnë nga pasuria e krijuar nga zhvillimi i teknologjive të reja.
Guvernatori demokrat thekson se këto reforma duhet të zbatohen në nivel federal, pasi një qasje vetëm në nivel shtetesh do t’u mundësonte miliarderëve të zhvendosnin rezidencën në juridiksione me taksa më të ulëta.



